12/06/2026
Futbolli për të verbër është një sport paralimpik dhe shumë interesant për të gjithë. Futbolli për të verbër përbëhet nga katër lojtarë dhe një portier. Në kompeticionet madhore, ndeshja zgjat 30 minuta, dy pjesë nga 15 minuta, me ndalesë të kohës në rastet kur topi del në rivënie fundore, faulla apo penallti.
Fusha është e njëjtë me madhësinë standarde të FIFA Futsal, 40 m e gjatë dhe 20 m e gjerë. Në të dy anët e fushës vendosen panele mbrojtëse që topi të mos dalë në anësore (out), si dhe lojtarët i përdorin për orientim. Të gjithë lojtarëve u mbyllen sytë me syze të errëta, përveç portierit që ka shikueshmëri të plotë, i cili ka të drejtë të luajë vetëm brenda zonës së tij të vogël.
Topi ka zile brenda, në mënyrë që të orientohen lojtarët dhe ta kontrollojnë topin. Kur lojtari vrapon pas topit, ai duhet të bërtasë "Voj", që të sinjalizojë lojtarët tjerë se është duke vrapuar dhe të shmangen përplasjet e papritura. Në momentin që një lojtar merr topin, kundërshtari që është në mbrojtje duhet vazhdimisht të sinjalizojë "Voj, voj, voj" se ku është.
Çdo ekip ka tre udhërrëfyes me shikim, të cilët udhëzojnë lojtarët për veprimet që duhet të bëjnë. Këta tre udhëzues orientojnë lojtarët në zona të ndara: portieri orienton mbrojtjen pranë portës së tij, në mes të fushës udhëzon trajneri, kurse në fazën sulmuese udhëzon udhëzuesi pas portës, i cili ndihmon lojtarin të shënojë gol, duke i treguar se nga cila anë ka hapësirë më shumë, kur të godasë etj.
Tifozët duhet të heshtin derisa topi të dalë jashtë loje dhe, kur të shënohet gol, shikuesit kanë të drejtë të festojnë si zakonisht.
Në Kosovë nuk ka ende një ligë të rregullt, por kemi kombëtaren e Kosovës, e cila për herë të parë në histori zhvilloi ndeshjen e parë ndërkombëtare në nëntor të vitit 2022. Futbollistët e verbër kanë marrë pjesë në disa turne dhe në Kampionatin Evropian në Divizionin e Dytë në vitin 2025.
Ky sport ka disa specifika të tjera, por për të mos e zgjatur shumë me shkrim, ju ftojmë të ndiqni një video nga dy prej skuadrave më të forta në botë.
Shikim të këndshëm!
Ky tekst është përgatitur nga faqja jonë me qëllimin për të promovuar sportet e personave të verbër! ❤️🖤
-------------
Falënderojmë sponsorët tanë:
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport - Skenderaj
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës
X Design
Dyqani Roni
❤️🖤