15/01/2014
Kampionët fillojnë stërvitjet, Rashica kthehet nga lëndimi .
Futbollistët e kampionit vjeshtor në elitën e futbollit kosovar, Llamkos Kosova, pas pushimeve të fundvitit, sot kanë filluar stërvitjet për sezonin pranveror. Shumë të motivuar me suksesin historik që arritën në stinorin vjeshtor, futbollistët paralajmërojnë vazhdim të suksesit dhe lojë të mirë për futbolldashësit e flaktë vushtrrias, që këtë vit po pretendojnë titullin ta sjellin në Vushtrri.
Kapiteni i skuadrës Bahri Kera, premton se edhe në stinorin pranveror Llamkosi do të krijoj atmosferë të mrekullueshme në stadium, që ka synim që ta shënojë historinë, duke u shpallur kampion i Kosovës. Ndërkaq lojtari më përvojë i Llamkosit, Faruk Statovci ka thënë se synimet e Llamkosit janë që të bëhet kampion por edhe ta fitoj Kupën e Kosovës.
Megjithatë drejtuesit e shtabit teknik të klubit, thonë se do të përgatiten sikur të kishin zero pikë dhe nuk do t’i nënçmojnë rivalët e tyre. “Ne do të stërvitemi sikur në pranverë të fillonim nga zeroja, që të mos i nënçmojmë rivalët tanë si dhe të vazhdojmë me sukseset”, ka thënë ndihmës trajneri Bekim Shotani, i cili për shkak të mungesës së kryetrajnerit Munishi, të cilit i ka vdekur babai, ka filluar vetë fazën përgatitore.
Ai ka bërë të ditur se përveç fazës fillestare të stërvitjeve, ata synojnë që të kenë stërvitje edhe jashtë vendit, si dhe te zhvillojnë 5 deri në 7 ndeshje miqësore para fillimit të kampionatit, raporton “Veriu.info”.
Stërvitjet bashkë me shokët e tyre nuk i kanë filluar Labinot Osmani, Bashkim Shala, Valdrin Rashica, Fatlum Ramadani dhe Faton Zejnullahu. Në fakt sipas Shotanit për shkak të lëndimeve që kishin, ata po bëjnë stërvitje të veçanta dhe shumë shpejtë pritet ti bashkohen stërvitjeve në terren të hapur.
Po ashtu një lajm i mirë për kampionët është se pas qëndrimit disamujor për rehabilitim në Gjermani, stërvitjeve tashmë i është kthyer edhe talenti vushtrrias Milot Rashica. “Rashica ka filluar stërvitjet me lojtarët tjerë, por për rikthimin e tij të plotë në fushë, deri në fillim të kampionatit vlerësimin duhet ta japin mjekët”, ka thënë Shotani.
/ Football24h /