24/08/2026
🟨 Komunikatë Zyrtare: Ekipet e Vajzave
FC 2 Korriku, pas takimeve të mbajtura të kryesisë së klubit, deklarohet përmes kësaj komunikate për ta zyrtarizuar tërheqjen nga garat e organizuara në kuadër të Federatës së Futbollit të Kosovës në konkurencën e femrave, me ekipin Senior dhe Under-17.
FC 2 Korriku, përkundër të gjitha përpjekjeve të bëra në muajtë e fundit, nuk ka arritur që të ofroj stabilitet financiar për të përmbushur pritshmëritë dhe për të qenë të gatshëm për garimin në rangun elitar të futbollit të femrave; kësisoj, me vendim të udhëheqësisë së klubit, është vendosur për tërheqje nga garat për edicionin 2026/27, për t’i dhënë strukturave organizative të klubit, kohë për ri-konstrukturim dhe organizim në nivelin që meriton të jetë për garim në rangjet elitare në futbollin tonë.
Sa i përket ekipeve të vajzave, FC 2 Korriku njofton se ka ndërprerë bashkëpunimin me Menaxherin e Ekipeve të vajzave, z. Sedat Limani; z. Limani, më meritori për formimin e ekipeve të vajzave, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në mbarëvajtjen e organizimit të veprimtarive të ekipeve të vajzave ndër vite. Pasioni i tij dhe gatishmëria për të ofruar kushte të nivelit më të lartë të të luajturit futboll për futbollistet e FC 2 Korriku, kanë sjellur deri tek fitimi i titullit kampion në nivel të Kosovës në edicionin 2024/25 me ekipin Under-17, fitimin e titullit kampion në Ligën e Parë me ekipin Senior në edicionin 2025/26, plasmanin në Superligën e Femrave në edicionin 2026/27 dhe dhjetëra grumbullime të futbollisteve në Kombëtaren e Kosovës dhe të Shqipërisë ndër vite.
FC 2 Korriku thekson se kjo tërheqje nga garat për këtë edicion, nuk nënkupton ndalimin e aktivitetit me ekipet e vajzave; përkundrazi, me motiv dhe përkushtim të plotë, klubi do të bëj të pamundurën të rikthehet në mesin e ekipeve garuese, për të qenë krah i masovizimit dhe zhvillimit të futbollit të femrave.