03/09/2026
03.09.2026, Mitrovicë
𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐚 𝐝𝐫𝐞𝐣𝐭 𝐩𝐚𝐫𝐚𝐪𝐢𝐭𝐣𝐞𝐬 𝐡𝐢𝐬𝐭𝐨𝐫𝐢𝐤𝐞 𝐧𝐞̈ 𝐖𝐨𝐫𝐥𝐝 𝐁𝐨𝐜𝐜𝐢𝐚 𝐂𝐡𝐚𝐥𝐥𝐞𝐧𝐠𝐞𝐫 𝐏𝐢𝐥𝐬𝐞𝐧 𝟐𝟎𝟐𝟔
Federata e Para Boccia e Kosovës ka mbajtur sot konferencë për media me rastin e pjesëmarrjes së parë historike të Kosovës në një garë ndërkombëtare të parasportit të boccias, në World Boccia Challenger Pilsen 2026.
Në këtë turne të rëndësishëm ndërkombëtar do të marrin pjesë 22 shtete me gjithsej 80 garues, ndërsa në kategorinë BC2 do të garojnë 14 parasportistë nga vende të ndryshme të botës.
Kosova në këtë kategori do të përfaqësohet nga parasportisti Sabri Çabra, duke shënuar kështu një kapitull të ri për boccia-n kosovare dhe për zhvillimin e parasportit në vendin tonë.
Në konferencën për media morën pjesë:
𝐌𝐮𝐫𝐚𝐭 𝐌𝐮𝐫𝐚𝐭𝐢, Kryetar i Federatës së Para Boccia të Kosovës
𝐍𝐣𝐨𝐦𝐳𝐚 𝐄𝐦𝐢𝐧𝐢, Kryetare e Komitetit Paralimpik të Kosovës
𝐒𝐚𝐛𝐫𝐢 𝐂̧𝐚𝐛𝐫𝐚, parasportist i boccias dhe përfaqësues i Kosovës në World Boccia Challenger Pilsen 2026
𝐋𝐮𝐚𝐧 𝐂̧𝐚𝐛𝐫𝐚, Selektor i Kosovës në boccia
𝐋𝐮𝐥𝐳𝐢𝐦 𝐇𝐚𝐤𝐚𝐣, trajner i parasportistit Sabri Çabra
Kryetari i Federatës së Para Boccia të Kosovës, 𝐌𝐮𝐫𝐚𝐭 𝐌𝐮𝐫𝐚𝐭𝐢, theksoi rëndësinë historike të kësaj pjesëmarrjeje, duke vlerësuar se dalja e Kosovës për herë të parë në arenën ndërkombëtare të boccias është rezultat i punës, përkushtimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm për zhvillimin e këtij sporti.
Kryetarja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, 𝐍𝐣𝐨𝐦𝐳𝐚 𝐄𝐦𝐢𝐧𝐢, shprehu mbështetjen për sportistin dhe ekipin përfaqësues, duke theksuar rëndësinë e krijimit të mundësive të reja për parasportistët kosovarë që të përfaqësojnë vendin në garat më të rëndësishme ndërkombëtare.
Parasportisti 𝐒𝐚𝐛𝐫𝐢 𝐂̧𝐚𝐛𝐫𝐚 do të ketë nderin dhe përgjegjësinë që për herë të parë ta përfaqësojë Kosovën në këtë nivel të boccias ndërkombëtare, me synimin për një paraqitje sa më dinjitoze dhe për të grumbulluar përvojë e pikë të rëndësishme ndërkombëtare.
Për aspektin profesional dhe sportiv të përgatitjeve folën edhe Selektori i Kosovës në boccia, 𝐋𝐮𝐚𝐧 𝐂̧𝐚𝐛𝐫𝐚, dhe trajneri 𝐋𝐮𝐥𝐳𝐢𝐦 𝐇𝐚𝐤𝐚𝐣, të cilët shprehën besimin se puna dhe përgatitjet e zhvilluara do të ndikojnë në një paraqitje sa më të mirë të përfaqësuesit të Kosovës.
World Boccia Challenger Pilsen 2026 ka rëndësi të veçantë edhe për faktin se është pjesë e rrugëtimit ndërkombëtar ku sportistët grumbullojnë pikë të vlefshme për renditjen dhe synimet e ardhshme paralimpike, përfshirë rrugëtimin drejt Lojërave Paralimpike Los Angeles 2028.
Pjesëmarrja e Kosovës në Pilsen përbën më shumë se një garë sportive. Ajo është dëshmi e avancimit të parasportit në vend, e përkushtimit të sportistëve dhe profesionistëve të boccias dhe e synimit që flamuri i Kosovës të jetë gjithnjë e më i pranishëm në arenën ndërkombëtare.
Federata e Para Boccia e Kosovës i uron Sabri Çabrës dhe ekipit të Kosovës shumë suksese në Pilsen, me bindjen se do ta përfaqësojnë vendin me dinjitet, përkushtim dhe krenari.
Ministria e Sportit dhe Rinisë
Korporata Rugove
Komiteti Paralimpik i Kosovës