23/07/2026
Shoqëria Bjeshkatare Alpiniste Trepça nënshkruan kontratën për subvencionim me Komunën e Mitrovicës
Mitrovicë, 23 korrik 2026
Përfaqësuesi i Shoqërisë Bjeshkatare Alpiniste Trepça, Gzim Ferati, mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave për subvencionimin e klubeve dhe shoqatave sportive, ku kontratat u nënshkruan nga Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, dhe Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Gazmend Asllani.
Edhe pse subvencionimi i ndarë për SHBA Trepça, sipas kategorizimit të sportit, mbetet minimal në krahasim me disa sporte dhe organizata të tjera sportive, kjo nuk e zbeh përkushtimin dhe vizionin tonë për zhvillimin e sporteve malore.
SHBA Trepça do të vazhdojë të punojë me përkushtim në hartimin dhe zbatimin e projekteve konkrete në fushën e bjeshkatarisë, alpinizmit, ngjitjes sportive, mbrojtjes së mjedisit, edukimit të të rinjve dhe zhvillimit të turizmit malor. Objektivi ynë është që, përmes bashkëpunimit me institucionet dhe partnerët, në të ardhmen e afërt të realizohen investime dhe aktivitete që do të krijojnë kushte më të mira për zhvillimin e këtyre disiplinave dhe për promovimin e potencialit natyror të rajonit të Mitrovicës.
SHBA Trepça falënderon Komunën e Mitrovicës, Kryetarin Faton Peci dhe Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, të udhëhequr nga Gazmend Asllani, për mbështetjen e ofruar. Në të njëjtën kohë, shpresojmë që në të ardhmen sportet malore të vlerësohen edhe më shumë, në përputhje me kontributin e tyre në sport, edukim, rekreacion, mbrojtje të mjedisit dhe zhvillim të turizmit.
SHBA Trepça mbetet e përkushtuar të ndërtojë një kulturë të fortë të sporteve malore dhe të vazhdojë të jetë një promotor i natyrës, shëndetit, vullnetarizmit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në komunën tonë.