30/07/2026
Sot, në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës, është miratuar investimi në vlerë prej 4 milionë eurosh për ndërtimin e Stadiumit Olimpik, një projekt me rëndësi të veçantë për zhvillimin dhe avancimin e atletikës dhe sportit në përgjithësi.
Kjo nismë, e iniciuar nga klubi ynë dhe e mbështetur nga Kryetari i Federatës së Atletikës së Kosovës, z. Halil Sylejmani, ka gjetur përkrahjen e Komunës së Fushë Kosovës dhe sot është miratuar zyrtarisht nga Kuvendi Komunal.
Shprehim mirënjohjen dhe falënderimin tonë të veçantë për Kryetarin e Komunës së Fushë Kosovës, z. Valon Prebreza, Drejtorin për Kulturë, Rini dhe Sport, z. Ylber Kelmendi, si dhe për të gjithë asamblistët e Kuvendit Komunal të Fushë Kosovës, për përkrahjen dhe kontributin e tyre në realizimin e këtij projekti madhor.
Lokacioni i dedikuar për ndërtimin e Stadiumit Olimpik është fshati Miradi e Poshtme, i cili synohet të shndërrohet në një qendër të rëndësishme për organizimin e garave vendore dhe ndërkombëtare të atletikës.
Urojmë të gjithë atletët e klubit tonë dhe të gjithë komunitetin sportiv për këtë lajm të rëndësishëm. Ky është vetëm një hap i parë drejt masivizimit dhe zhvillimit të mëtejshëm të atletikës, krijimit të kushteve më të mira për sportistët dhe ngritjes së sportit në nivelin që meriton.
Së bashku, drejt një të ardhmeje më të madhe për atletikën dhe sportin!
Federata Atletike E Kosovës
Komuna e Fushë Kosovës