26/08/2026
26 Gusht 2026
Tarato, Italy
Ekipi i shigjetarëve të Kosovës, sipas orarit të zhvillimit të garave, dje ka pasur stërvitje zyrtare (official practice) dhe inspektim të pajisjeve, duke kaluar me sukses këtë fazë të garës.
Sot me fillim në ora 09:00 zyrtarisht ka filluar gara në disiplinën Recurve (hark olimpik) në gjuajtje 72 shigjeta në distancë 70m.
Në një konkurrencë tejet të madhe të garimit si dhe një mot shumë të vështirë për gjuajtje me erë mesatarisht të fortë që fryente drejtime të ndryshme, në pjesëmarrje gjithësejt 35 garues në kategorinë individual të meshkujve, që të tre garuesit Valmir Gllareva (569), Edi Dvorani (559) dhe Yllnor Mala (553 rrathe) kanë arritur të kalojnë fazën e kualifikimeve, duke siguruar vendin e 32,33 dhe 34-të, për të vazhduar tutje në fazën e eliminimeve.
Një histori që vie duke u përsëritur që nga Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018, edhe kësaj radhe shorti e deshti që garuesit Kosovar Valmir Gllareva dhe Edi Dvorani të përballen kundër njëri-tjetrit në meqin 1/24 të eliminimeve, përderisa Yllnor Mala u përball me grekun Themelis Panagiotis. Këto dy meqe ishin mjaft atraktive dhe Edi Dvorani ngadhënjeu ndaj Valmirit me rezultat 6:4 në sete. Në një meq poashtu tejet të vështirë që fryente erë goxha e fortë, pësoi humbje nga greku me rezultat 6:2 në sete.
Në konkurrencën individuale, gara vazhdon tutje për Edi Dvoranin i cili nesër përballet me spanjollin Temiño Mediel Andres në 1/16 e finales.
Gara akoma më interesante u bë në konkurrencën ekipore ku ekipi i Kosovës u ndesh me ekipin e Algjerisë në 1/8 e finales, duke e mposhtur atë me rezultat 6:0 në sete.
Në konkurrencën ekipore në qerekfinale 1/4 shigjetarët kosovar u ndeshën me ekipin e Spanjës nga i cili pësuan humbje me rezultat 6:2 në sete.
Ekipi i shigjetarisë së Kosovës nën udhëheqjen e trajnerit Agron Mala dhe në përcjellje poashtu të trajnerit Atdhe Luzhnica, njëherit kryetar i federatës, pati një paraqitje të jashtëzakonshme sidomos në konkurrencën ekipore duke arritur deri në 1/4 e finales. Vërtetë kushtet e garës dhe era e fortë ishin një faktor që ekipin e Kosovës e ndaluan drejt medaljes, ku ishin vetëm një hap larg zonës së medaljeve në konkurrencën ekipore.
Gara vazhdon tutje për Edi Dvoranin të cilit i urojmë fat në meqin e radhës.