05/06/2026
Finalja e parë mbyllet pas vazhdimeve, gjithçka mbetet e hapur
FC Prishtina 01 u mposht nga FC Drenica me rezultat 9-7 pas vazhdimeve në finalen e parë të Superligës së Kosovës, të zhvilluar në Skenderaj.
Skuadra jonë zhvilloi një paraqitje shumë të mirë në pjesën e parë, duke e mbyllur atë me epërsi 4-3. Dy gola i realizoi Fitim Krasniqi, ndërsa nga një herë shënuan Halim Selmanaj dhe Arif Limani.
Në pjesën e dytë, Drenica arriti të përmbysë rezultatin dhe të krijojë epërsi 6-4.
Megjithatë, kampionët nuk u dorëzuan. Me aktivizimin e lojës me pesë futbollistë, FC Prishtina 01 arriti të rikthehej në ndeshje dhe të barazonte shifrat në 6-6 falë golave të Ylli Mazrekut dhe Shefki Kamerit.
Në vazhdime, kur gjithçka po shkonte drejt penalltive, një gol i Drenicës ndryshoi rrjedhën e takimit. Gjatë aksionit paraprak, njëri nga lojtarët e Drenicës pati një prekje të dukshme me dorë, por gjyqtarët vendosën ta pranonin golin edhe pas konsultimeve.
Deri në fund, Drenica shfrytëzoi momentin dhe fitoi ndeshjen me rezultat 9-7.
Golin e vetëm të FC Prishtina 01 në vazhdime e realizoi Halim Selmanaj.
Pavarësisht rezultatit, skuadra tregoi karakter, cilësi dhe shpirt gare, duke lënë gjithçka të hapur për finalen e dytë.
Të martën në Prishtinë, FC Prishtina 01 do të kërkojë fitoren për ta barazuar serinë finale dhe për ta çuar luftën për titull në ndeshjen vendimtare.