14/09/2026
🇦🇱 Tirana bëhet qendra e atletikës ballkanike!
Shqipërisë i është besuar për herë të parë organizimi i “Kongresit të Balkan Athletics”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme sportive të atletikës rajonale, që do të zhvillohet në Tiranë më 13–15 tetor 2026.
Për tri ditë, Tirana do të mirëpresë drejtues dhe përfaqësues të federatave të atletikës nga Ballkani, në takime ku do të diskutohen zhvillimi i sportit, kalendari ndërkombëtar dhe bashkëpunimet e ardhshme. Fakti që organizimi i këtij eventi madhor i është besuar Federatës Shqiptare të Atletikës përbën një vlerësim të rëndësishëm për punën e bërë dhe progresin e atletikës shqiptare gjatë këtij viti.
Kongresi gjithashtu, do të ketë një peshë të veçantë ndërkombëtare, pasi do të jenë të pranishëm Presidenti dhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Europiane të Atletikës, si dhe kandidatë për President të “World Athletics” dhe për “Bordin Ekzekutiv”, në kuadër të zgjedhjeve të vitit 2027.
🇦🇱 Për Shqipërinë, ky është më shumë se një event sportiv: është një mundësi për të vendosur atletikën shqiptare në qendër të vëmendjes rajonale, europiane dhe botërore dhe për të forcuar rolin e vendit tonë në atletikën ndërkombëtare !