30/03/2022
Laçi ka arritur një fitore me shumë vlera në transfertë kundër Teutës në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë. Ekipi i Mirel Josës zhvilloi një ndeshje shumë të mirë duke fituar në Durrës me rezultatin e ngushtë 2-1.
Nga një gol në çdo pjesë për kurbinasit që hedhin një hap shumë të rëndësishëm drejt finales së madhe, ndërsa Todorovski mbajti gjallë shpresat e Teutës, pasi realizoi golin që ngushtoi diferencat në minutat e fundit. Teuta nga ana tjetër rikthehet në stadiumin Niko Dovana me një humbje.
Kështu, ndeshja u zhbllokua që në minutën e gjashtë nga Ujka. Ky i fundit me një goditje nga distanca mposhti portierin Qirko që edhe pse arriti te topi, nuk e devijoi dot jashtë portës që mbronte.
Në pjesën e dytë, Laçi do të gjente sërish rrugën e rrjetës, këtë herë me Adeleke Akinyemi. Një pasim perfekt i Mazrekajt përmes linjave vendosi përballë portierit Adeleken që nuk gaboi duke e çuar topin në rrjetë.
2-0 mund të ishte një rezultat shumë i përshtatshëm për Laçin, por Todorovski arriti të ngushtonte diferencat në minutën e fundit të takimit, pasi realizoi një gol me kokë. Ky gol vulosi edhe rezultatin final të takimit në 2-1.
Kështu Laçi me këtë rezultat pret skuadrën e Teutës në kushte komode në sfidën e radhës. Teuta nga ana tjetër rikthehet në stadiumin Niko Dovana me një humbje.
KUPA E SHQIPËRISË – GJYSMËFINALJA E PARË
Teuta-Laçi 1-2
Shënues: Todorovski 90+4’ /Ujka 6’, Akinyemi 58’