18/09/2026
🇦🇱🤝🇮🇹 PREZANTOHET PROGRAMI I PËRBASHKËT – DIPLOMË E DYFISHTË “MASTER I SHKENCAVE NË SHKENCAT SPORTIVE”
💢Universiteti i Sporteve të Tiranës dhe Universiteti i Urbinos “Carlo Bo”, Itali, shënojnë një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit akademik ndërkombëtar me prezantimin e Programit të Përbashkët – Diplomë e Dyfishtë, Master i Shkencave në “Shkencat Sportive”, i cili do të implementohet pranë Fakultetit të Shkencave të Lëvizjes.
🔗Ceremonia e prezantimit u zhvillua në kuadër të edicionit të tretë të Ditës së Sportit Italian në Botë, një nismë e promovuar nga Ambasada e Italisë në Tiranë, me pjesëmarrjen e Ambasadorit të Italisë në Tiranë, z. Marco Alberti, Rektorit të Universitetit të Sporteve të Tiranës, Prof. Dr. Agron Kasa, si dhe Prof. Piero Sestili, Dekan i Fakultetit të Shkencave Motorike në Universitetin e Urbinos “Carlo Bo”.
📌Gjatë aktivitetit, Prof. Dr. Agron Kasa dhe Prof. Piero Sestili prezantuan programin e ri të përbashkët, objektivat e tij, mundësitë që u ofron studentëve, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve në fushën e shkencave sportive.
📌Në fjalën e tij, Ambasadori i Italisë, z. Marco Alberti, theksoi rëndësinë e sportit si një tërësi vlerash dhe si një instrument për promovimin e paqes dhe zhvillimit, por edhe si një faktor me rëndësi ekonomike dhe kulturore.
Ambasadori vlerësoi në mënyrë të veçantë rolin e bashkëpunimit ndëruniversitar në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, duke theksuar se ky bashkëpunim bashkon brezat e rinj, krijon perspektiva të reja profesionale, forcon lidhjen ndërmjet kërkimit shkencor dhe sistemit të prodhimit dhe kontribuon në ndërtimin e së ardhmes.
📌Programi i përbashkët i studimit është miratuar zyrtarisht nga Ministria e Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë, me Urdhrin nr. 46, datë 19.08.2026.
📌Ky program përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e ndërkombëtarizimit të Universitetit të Sporteve të Tiranës, duke konsoliduar bashkëpunimin akademik me Italinë dhe duke u ofruar studentëve mundësi të reja për formim akademik, mobilitet ndërkombëtar, kërkim shkencor dhe zhvillim profesional në fushën e shkencave sportive.