06/08/2026
REAGIM PUBLIK I KLUBIT AERONAUTIK "SHQIPONJAT E KASTRIOTIT"
Klubi Aeronautik "Shqiponjat e Kastriotit" shpreh shqetësimin e thellë lidhur me publikimin e bërë nga portali "VOX KOSOVA", në të cilin emri i klubit tonë është përfshirë padrejtësisht në një ngjarje private, duke u shoqëruar me pretendime dhe aludime të pabazuara që dëmtojnë rëndë reputacionin e klubit dhe të anëtarëve të tij.
Klubi ynë nuk ka qenë dhe nuk është palë në këtë rast. Çdo përgjegjësi eventuale është gjithmonë individuale dhe nuk mund të bartet mbi një organizatë sportive që prej vitesh përfaqëson Republikën e Kosovës me dinjitet në arenën vendore dhe ndërkombëtare.
Është veçanërisht shqetësuese që, pa u kërkuar qëndrimi i klubit dhe pa u verifikuar faktet, janë publikuar pretendime të rënda, përfshirë aludime për ndikim në organet e drejtësisë. Këto pretendime, në mungesë të provave dhe të një vendimi të formës së prerë nga institucionet kompetente, cenojnë parimin e prezumimit të pafajësisë dhe dëmtojnë padrejtësisht imazhin e klubit tonë.
Për më tepër, është zhgënjyese që ndër vite, pavarësisht dhjetëra sukseseve të arritura nga "Shqiponjat e Kastriotit", organizimit të garave ndërkombëtare, përfaqësimit të Kosovës në shumë shtete të botës dhe medaljeve të fituara nga sportistët tanë, Rekordeve botërore dhe Evropjane ,ky portal nuk ka gjetur pothuajse asnjëherë hapësirë për t'i informuar qytetarët për këto arritje. Ndërsa në një rast të izoluar, ende pa u sqaruar plotësisht nga institucionet kompetente, emri i klubit është përdorur për të krijuar perceptime që nuk kanë asnjë lidhje me misionin, vlerat dhe punën tonë.
Klubi Aeronautik "Shqiponjat e Kastriotit" është ndërtuar me vite pune, përkushtimi dhe sakrifice nga pilotë, trajnerë, vullnetarë dhe sportistë që kanë punuar pa u kursyer për ta ngritur këtë klub në mesin e klubeve më të suksesshme në Kosovë dhe në botë.
Askush nuk ka të drejtë ta njollosë këtë kontribut me aludime apo spekulime.
I bëjmë thirrje portalit "VOX KOSOVA" që të respektojë standardet profesionale të gazetarisë, të publikojë faktet e verifikuara, të kërkojë qëndrimin e të gjitha palëve para publikimit të lajmeve dhe të korrigjojë informacionet e pasakta që kanë dëmtuar imazhin e klubit tonë.
Njëkohësisht, njoftojmë opinionin publik se Klubi Aeronautik "Shqiponjat e Kastriotit" rezervon të drejtën të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për mbrojtjen e reputacionit, integritetit dhe dinjitetit të klubit dhe të anëtarëve të tij.
Ne do të vazhdojmë të punojmë me të njëjtin përkushtim për zhvillimin e sportit ajror, edukimin e pilotëve të rinj dhe promovimin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Reputacioni nuk ndërtohet me aludime – ai ndërtohet me vite pune, sakrifice dhe rezultate. Këto janë vlerat që do të vazhdojmë t'i mbrojmë.