04/05/2026
KV Luboteni e përmbylli sezonin 2025/26 me dy arritje madhore fitues i Kupës së Kosovës dhe nënkampion i Raiffeisen Superligës së Kosovës.
Rrugëtimi në Kupë u kurorëzua me sukses të plotë. Në gjysmëfinale u mposht KV Ferizaj, ndërsa në finale KV Drita, duke siguruar trofeun e merituar.
Fillimi i sezonit ishte sfidues, me përfshirjen e disa lojtarëve të rinj që kërkuan kohë për t’u përshtatur. Kjo periudhë vendosi në provë trajnerin Arsim Lohaj dhe stafin e tij, por puna, përkushtimi dhe menaxhimi profesional dhanë rezultat. Ekipi u konsolidua gradualisht dhe në fazën vendimtare arriti formën më të lartë.
Gjatë pjesës së dytë të kampionatit, Luboteni arriti të mposhtë të gjitha ekipet e Superligës, duke dëshmuar dominim dhe karakter në ndeshje kyçe. Sezoni 2025/26 mbetet një dëshmi e progresit, unitetit dhe potencialit të këtij grupi për objektiva edhe më të mëdha në të ardhmen.
Një falënderim i veçantë shkon për kryesinë e klubit Kryetarin, nënkryetarin dhe të gjithë anëtarët të cilët qëndruan pranë ekipit në çdo moment. Mbështetja e tyre ishte e pandërprerë, si në periudhat më të vështira ashtu edhe në çastet festive, duke përballuar së bashku çdo sfidë gjatë sezonit.
Mirënjohje të thellë për sponsorët tanë. Pa përkrahjen dhe besimin e tyre, ky rikthim i emrit të Lubotenit në majat e volejbollit kosovar si fitues i Kupës nuk do të ishte i mundur.
Falënderojmë gjithashtu tifozët dhe mbështetësit tanë besnikë, të cilët ishin pranë ekipit në çdo ndeshje, duke dhënë energji dhe motivim të vazhdueshëm.
Në fund, vlerësim maksimal për secilin lojtar që dha maksimumin për këtë fanellë me peshë dhe histori Na dhuruan emocione që kishin munguar prej kohësh në volejbollin Kosovar përkushtimi, sakrifica dhe uniteti i tyre përfaqësojnë vlerat e Familjes së madhe të KV Lubotenit.
KLUBI I VOLEJBOLLIT LUBOTENI