24/03/2026
NJE MIRËNJOHJE NGA ZEMRA PËR MËSUESEN TIME TË PARË
Ka disa njerëz në jetë që nuk harrohen kurrë… ata që na udhëheqin në hapat e parë, që na mësojnë jo vetëm shkronjat, por edhe dashurinë për dijen dhe jetën. Për mua, një ndër këta njerëz është mësuesja ime e parë, znj. Regaibe Osmani – pishtarja e arsimit shqip, sot pensioniste, por gjithmonë e gjallë në kujtimet dhe zemrat tona.
Ajo ishte dora që më udhëhoqi drejt botës së dijes, zëri që më mësoi të shqiptoj shkronjat e para shqipe, dhe zemra që na edukoi me dashuri, përkushtim dhe durim të pashoq. Mësuesja Regaibe ishte dhe mbetet një emblemë e arsimit tonë, një figurë që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në breza të tërë nxënësish, të cilët sot janë bërë intelektualë dhe kontribuojnë në shoqëri, në komb dhe në shtet.
Sot pata kënaqësinë dhe emocionin e veçantë të pranoj librin të titulluar “NJE JETE, SHUME HISTORI”, dedikuar jetës dhe veprës së saj, shkruar me shumë dashuri nga mbesa e saj, Adelina Beluli, dhe botuar në Prishtinë. Ky libër nuk është thjesht një rrëfim, por një pasqyrë e një jete të mbushur me sakrifica, përkushtim dhe dashuri për arsimin.
Momenti kur vajza e mësueses sonë të nderuar na e dhuroi personalisht këtë libër ishte tejet emocionues. Ai çast më ktheu pas në kohë, në bankat e shkollës, në ditët kur me padurim prisnim të mësonim diçka të re nga ajo. Ishte një rikthim i bukur në nostalgjinë e një kohe të artë, që mbetet e paharruar.
Nga zemra falënderoj autoren për këtë dhuratë kaq të çmuar, që na mundëson të ruajmë përherë një kujtim të gjallë për mësuesen tonë, e cila pati fatin të na mësojë jo vetëm mua, por edhe motrën time – dy fëmijë të së njëjtës shtëpi, që patën bekimin të edukohen nga e njëjta dorë e artë.
Lutem që Zoti t’i dhurojë mësueses sonë të dashur shëndet të plotë, jetë të gjatë dhe pleqëri të qetë e të lumtur pranë familjes së saj.
Me respekt dhe mirënjohje të thellë për familjen Osmani, dhe për gjithçka që kjo familje i ka dhënë arsimit dhe shoqërisë sonë.
Nga Bashkim Qerimi