26/05/2026
FC Kosova fiton Kupën e Düsseldorfit pas një ndeshjeje dramatike dhe historike! 🏆⚽
Ishte një nga ndeshjet më të luftuara në historinë e FC Kosovës. Ekipi vendas kaloi dy herë në epërsi, fillimisht 1:0 dhe më pas 2:1, por djelmoshat tanë nuk u dorëzuan asnjëherë dhe arritën ta barazonin rezultatin në 2:2 brenda 90 minutave të rregullta.
Në vazhdime prej 2x15 minutash, ekipi ynë kaloi në epërsi 3:2, por në pjesën e dytë të vazhdimeve ekipi i Lohhausenit arriti që brenda vetëm 3 minutash ta përmbysë rezultatin në 4:3.
Megjithatë, sekondat e fundit të ndeshjes sollën emocionet më të mëdha. Pas një goditjeje dënimi, kundërshtarët e larguan topin në vijën fundore, duke i dhënë ekipit tonë goditjen e fundit të lojës. Në sulm u bashkua edhe portieri ynë, heroi i mbrëmjes, Enea Koliqi, i cili shënoi një gol të jashtëzakonshëm me kokë për rezultatin 4:4!
Ndeshja shkoi në penallti, ku djelmoshat tanë treguan qetësi dhe saktësi duke realizuar të gjitha goditjet. Ndërsa Enea Koliqi e dëshmoi edhe një herë madhështinë e tij duke pritur 2 penallti dhe duke i dhuruar FC Kosovës trofeun e merituar! ❤️🖤